
Kandidati i PDK-së vlerëson veprimin e Kryeprokurorit të Prizrenit dhe kërkon hetim gjithëpërfshirës për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor.
Bekim Haxhiu, kandidati i PDK-së që nuk arriti të zgjidhet deputet për shkak të votave të ardhura me postë, ka përgëzuar veprimin e Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, për përgjegjësinë institucionale në zbardhjen e rastit të manipulimit të votës.
Haxhiu thekson se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë procesin zgjedhor, duke përfshirë QNR dhe KQZ, ku janë administruar vota të pranuara jashtë afatit ligjor dhe për të cilat ekzistojnë dyshime për manipulim.
Ai shton se Prokuroria ka detyrim kushtetues dhe ligjor për të hetuar çdo dyshim për keqpërdorim të votës, përfshirë votat në QKN, QNR dhe votat me postë, që janë përfshirë në rezultatin zgjedhor në kundërshtim me ligjin. Sipas Haxhiut, këto veprime dëmtojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor.
Bekim Haxhiu propozon që votat me postë të nënshtrohen ekspertizës forenzike grafologjike, si pjesë e një hetimi të pavarur dhe profesional, për të zbuluar çdo skemë kriminale të mundshme në votim.
Ai bën thirrje që Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Kryeprokurori i Kosovës të veprojnë sipas të njëjtit standard ligjor, në mënyrë që asnjë votë e manipuluar ose e administruar jashtë afatit ligjor të mos ndikojë në rezultatin përfundimtar.
“Vetëm një proces gjithëpërfshirës i zbatimit të ligjit dhe verifikimit të çdo vote mund të rikthejë besimin minimal në procesin zgjedhor,” thekson Haxhiu, duke kujtuar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe askush nuk është mbi ligjin.



