Besnik Bislimi njofton BE-në për pengesat sistemike ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka informuar Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, për bllokimin e fondeve dhe pengesat administrative që po prekin të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje që, sipas tij, ka marrë karakterin e një pengese sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

banner

Sipas Bislimit, 3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka zbatuar në mënyrë të plotë dhe të rregullt të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale në këtë drejtim.

Megjithatë, Bislimi bëri të ditur se pagesa në vlerë prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi.

“Në të tre rastet, transferet janë refuzuar pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore,” tha ai, duke shtuar se kjo nuk mund të konsiderohet si gabim teknik.

“Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” theksoi Bislimi.

Ai gjithashtu përmendi se e njëjta qasje penguese është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, ndonëse të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar me sukses.

Sipas tij, këto veprime nuk janë të izoluara, por dëshmojnë një “strukturë të qëllimshme të pengesave administrative”.

Bislimi njoftoi se institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare, përfshirë komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare që dëshmojnë pengesat e përmendura.

Në përfundim, zëvendëskryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por “nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.