
Hetimet e reja mbi snajperistët gjatë rrethimit të Sarajevës e bëjnë rastin të vështirë për t’u mohuar, thotë Latifi.
Profesori universitar Blerim Latifi ka komentuar hetimet e reja mbi snajperistët gjatë rrethimit të Sarajevës dhe ka bërë thirrje për ngritjen e një gjykate speciale për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kam qenë fëmijë në atë kohë, por më kujtohet qartë se si të rriturit flisnin çdo ditë për ngjarjet e luftës në Bosnjë. Më kanë mbetur në mendje bisedat për vrasjet e civilëve në rrugët e Sarajevës, ndërsa ushtria serbe, nga kodrat përreth, bombardonte pa ndërprerje qytetin e rrethuar.”
Latifi tha se hetimet e reja tregojnë se shumë nga viktimat civile mund të jenë vrarë jo vetëm nga snajperistët e ushtrisë serbe, por edhe nga snajperistë të huaj, të cilët dyshohet se kanë paguar për të ardhur në pozicionet serbe dhe për të shtënë mbi kalimtarët.
“Një lloj gjuetie çnjerëzore mbi njerëz të pafajshëm.”
“Tash mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë Këshilli i Europës: a do të emërojë ndonjë raportues për këtë rast dhe a do të kërkohet ngritja e një gjykate speciale për kreun e shtetit serb.”
“Ndërsa për rastin e Vuçiqit tashmë kanë dalë video dhe dëshmitarë okularë, duke e bërë hetimin dukshëm më të bazuar dhe të vështirë për t’u mohuar.”
“Përpjekjet për të vendosur ekuivalencë faji për të gjitha palët e përfshira në luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste kanë qenë një përpjekje e turpshme europiane për ta fshehur të vërtetën e madhe se këto luftëra ishin kryekëput pasojë e synimit të Beogradit për të ndërtuar me dhunë mbi gërmadhat e Jugosllavisë së Titos një Serbi të Madhe.”



