
Deputetja e PDK-së kritikon idenë e mbylljes së projekteve satirike, ndërsa Tëvë1 sqaron se ndërprerja nuk lidhet me “Logjikonominë”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar lidhur me debatet rreth satirës dhe lirisë së shprehjes, duke theksuar se kjo formë arti ka qenë prej vitesh pjesë e diskursit publik në Kosovë.
“Satira është një formë e lirisë së shprehjes. Në Kosovë ajo ka ironizuar prej UÇK-së e deri te liderët politikë e rajonet më të ndjeshme të vendit dhe gjithmonë është trajtuar me debat, kurrë me ndalim,” ka deklaruar Deliu.
Duke iu referuar diskutimeve për projektin satirik “Logjikonomia”, Deliu ka thënë se mbyllja e një projekti për shkak të kritikave politike nuk është shenjë force:
“Nëse sot një projekt si Logjikonomia mbyllet pas një episodi kritik ndaj cilësdo parti, kjo s’është shenjë e forcës politike, por e dobësisë demokratike.”
Ajo shtoi se demokracia matet me aftësinë për të duruar humorin, “sidomos atë që s’të pëlqen”.
Ndërkohë, Tëvë1 ka sqaruar se ndërprerja e kanalit të tyre në YouTube ka qenë thjesht teknike dhe nuk ka asnjë lidhje me ‘Logjikonominë’.



