
Ramadani kritikon kryeministrin për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale serbe pa vendim zyrtar.
Burim Ramadani, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për koncesionin e dhënë ndaj Serbisë për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale serbe.
Sipas Ramadanit, ky koncesion është i gabueshëm, i papranueshëm dhe anti-kushtetues, pasi nuk ekziston vendim zyrtar i Qeverisë dhe as ndryshim i ligjit nga Parlamenti i Kosovës për këtë çështje.
Ai shtoi se Kurti, duke mos marrë vendim zyrtar por vetëm urdhër goje, i shmanget dërgimit të rastit në Gjykatën Kushtetuese, duke evituar kështu që shkeljet kushtetuese të dilnin qartë në pah.
Ramadani po ashtu sugjeroi se kjo veprimtari e kryeministrit mund të shihet si një sinjal se ai po përpiqet të bëhet “djalë i mirë” në dialog me Serbinë.
“Kurti jep sinjale se u bë ‘djalë i mirë’ në dialog me Serbinë.
Koncesioni për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale të Serbisë është edhe i gabueshëm, edhe i papranueshëm, edhe anti-kushtetues.
Për më shumë, as nuk ka vendim Qeverie dhe as ndryshim ligji nga Parlamenti për këtë koncesion ndaj Serbisë.
Kurti – duke mos marrë vendim zyrtar, por vetëm urdhër goje – i shmanget kështu dërgimit të rastit në Gjykatë Kushtetuese, sepse kjo do të dilte qartë shkelje kushtetuese”, tha ai.



