
Aktori i njohur turk dhe protagonisti i serialit “Sandokan”, që së shpejti vjen në Vizion Plus, ka treguar se rrënjët e tij lidhen me Kosovën dhe diasporën shqiptare në Turqi.
Can Yaman, një nga aktorët më të dashur për publikun dhe protagonist i serialit “Sandokan”, i cili pritet të transmetohet së shpejti në televizionin kombëtar Vizion Plus, ka zbuluar në një intervistë për mediat italiane se ka origjinë shqiptare. Ai tregoi se nëna e tij është me origjinë nga Kosova, ndërsa babai vjen nga një familje shqiptare e shpërngulur herët drejt Turqisë.
“Jam rritur në Suadiye, një lagje rezidenciale në pjesën aziatike të qytetit, e mbushur me fusha futbolli e basketbolli për djemtë. Është një zonë e banuar kryesisht nga emigrantë të gjeneratës së dytë dhe të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë kosovare e shqiptare, që kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata mes tyre flisnin shqip”, tha Yaman.
I pyetur nëse ai vetë e flet gjuhën shqipe, aktori u shpreh se nuk e njeh gjuhën.
“Jo! Babai ka lindur në Turqi dhe unë jam rritur si një djalë tipik i Stambollit, edhe pse mes njerëzve nga e gjithë bota. Ne nuk habitemi nga kulturat e ndryshme; ato janë pjesë e historisë së Perandorisë Osmane. Turqia ka shumë migrantë dhe vendndodhja jonë mes Lindjes, Europës dhe Afrikës së Veriut ndikon shumë në këtë. Si i rritur, mund të zgjedhësh vetë nëse do të jesh më perëndimor apo më lindor”, u shpreh aktori turk.



