
Zëvendëskryeministri thotë se po presin propozime për president nga opozita për të parë nëse mund të arrihet konsensus.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se presidenti duhet të zgjidhet më së largu deri më 28 prill dhe nëse kjo nuk ndodh, vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Sipas tij, aktualisht janë në pritje të propozimeve nga opozita për të parë nëse mund të arrihet një konsensus për ndonjë kandidat.
Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka sqaruar se është e nevojshme një takim i sinqertë ku të vendosen emrat në tavolinë dhe të diskutohet hapur për kandidatët e mundshëm.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës duhet t’i zbulojë emrat para se të arrihet ndonjë marrëveshje në parim, në mënyrë që të shihet nëse mund të ketë konsensus për ndonjërin prej tyre.
Konjufca theksoi se nënshkrimi i një marrëveshjeje pa e ditur kandidatin konkret mund të krijojë probleme më vonë, nëse emri i propozuar rezulton i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nëse propozohet një emër që është i pakapërcyeshëm për ne, atëherë do të krijohej një situatë ku Vetëvendosja do të fajësohej për daljen nga marrëveshja”, tha ai.
Në fund, Konjufca theksoi se nëse opozita nuk është e gatshme për kompromis, atëherë vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. “Shkojmë në zgjedhje të reja nëse kështu është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, deklaroi ai.



