
Diplomati amerikan dëshmoi në Hagë se gjatë takimit në Dragobil me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, pjesëmarrësit e kishin quajtur Ibrahim Rugovën “njeri të tmerrshëm”, ndërsa ai u ishte kundërpërgjigjur se në demokraci do të kenë mundësinë ta kundërshtojnë me votë.
Diplomati amerikan, Christopher Hill, ka dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë se gjatë një takimi në Dragobil me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrësit kishin folur keq për presidentin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugovën.
Hill tha se takimi ishte zhvilluar me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe dy persona të tjerë, ku një pjesë e bisedës ishte përqendruar edhe te qëndrimet ndaj Rugovës.
“Ata më thanë se sa njeri i tmerrshëm ishte Rugova,” deklaroi diplomati amerikan gjatë dëshmisë së tij.
Ai tha se kishte reaguar menjëherë, duke u theksuar se nuk e shqetësonte mendimi i tyre për Rugovën, dhe se në të ardhmen, kur Kosova të kishte demokraci, do të mund ta kundërshtonin përmes zgjedhjeve.
“U thashë atyre se nuk më intereson çfarë mendojnë për Rugovën dhe se një ditë, kur të keni demokraci, do ta keni kënaqësinë e votimit kundër tij,” tha Hill.
Diplomati amerikan tregoi se në atë takim nuk ishte diskutuar për çështjen e personave të ndaluar, ndërsa përsëriti se nuk i ishte krijuar përshtypja se Hashim Thaçi kishte nën kontroll një organizatë të madhe apo se ishte komandant ushtarak.



