
Pajisja zbuloi rrahjet e zemrës së aviatorit që ishte fshehur për 36 orë në malet pranë Isfahanit.
Cia thuhet se ka përdorur një teknologji të re top-sekrete të quajtur “Ghost Murmur” për të gjetur dhe shpëtuar një pilot amerikan që ishte rrëzuar mbi malet e Iranit gjatë fundjavës.
Sipas raportimeve, aviatori shërbente si oficer i sistemit të armëve në avionin luftarak F-15E Strike Eagle, i cili u rrëzua të premten në jugperëndim të Isfahan. Incidenti nxiti një operacion të menjëhershëm kërkim-shpëtimi për dy anëtarët e ekuipazhit.
Piloti i avionit arriti të katapultohej në mënyrë të sigurt dhe u shpëtua po atë ditë nga helikopterë ushtarakë. Ndërkohë, oficeri i dytë – i identifikuar vetëm me thirrjen operative “Dude 44 Bravo” dhe i përshkruar nga Donald Trump si një “kolonel shumë i respektuar” – mbeti i plagosur rreth 200 milje brenda territorit armik dhe u detyrua të fshihej për rreth 36 orë në një zonë malore të shkretë.
I trajnuar në teknikat e mbijetesës, shmangies dhe arratisjes (SERE), ai aktivizoi një sinjalizues të prodhuar nga Boeing për lokalizimin e personelit të mbijetuar, por vendndodhja e tij e saktë mbeti e paqartë ndërsa ai fshihej në një çarje shkëmbore.
Sipas burimeve të cituara nga New York Post, aviatori u gjet dhe u nxor nga një ekip komandosh pak para agimit të së dielës falë teknologjisë “Ghost Murmur”, e cila thuhet se është në gjendje të detektojë rrahjet e zemrës së një personi edhe në terrene të vështira.



