Çitaku: Kurti e keqinterpretoi qëndrimin e PDK-së për presidentin

Sekretarja e PDK-së thotë se partia e saj kërkoi marrëveshje parimore për dalje nga kriza, jo marrëveshje “blanko” me Vetëvendosjen.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar dështimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovo, duke kritikuar, sipas saj, keqinterpretimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me qëndrimin e PDK-së.

banner

Në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, Çitaku tha se PDK-ja nuk ka kërkuar asnjë marrëveshje “blanko” me Lëvizjen Vetëvendosje, por një marrëveshje parimore për të dalë nga cikli i krizave politike.

Sipas saj, përfaqësuesit e PDK-së kanë marrë pjesë në takime për të gjetur një zgjidhje dhe jo për pazare politike apo për të përmbushur interesa personale.

“Zoti Kurti bëri një keqinterpretim të qëllimshëm të çështjes në fjalë. PDK-ja nuk ka kërkuar marrëveshje blanko. PDK-ja ka kërkuar marrëveshje parimore. Ne nuk kemi shkuar në tryezë për të bërë pazare, as nuk kemi shkuar në tryezë për inate apo për të përmbushur ego personale. Në tryezë kemi shkuar siç kemi shkuar gjithnjë, për t’u munduar të japim një zgjidhje dhe për të dalë nga ky cikël i pafundshëm i krizave”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo shtoi se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i kishte thënë Kurtit se partia është e gatshme të ofrojë një kandidat për president, por jo domosdoshmërisht emër ekskluzivisht partiak.

Sipas Çitakut, do të ishte e pandershme të përmenden emra konkretë pa pasur më parë një dakordim që kandidatura do të vinte nga PDK-ja, duke theksuar se fillimisht duhej të kishte marrëveshje për këtë dhe më pas të diskutohej për kriteret dhe cilësitë e kandidatit. Ajo shtoi se situata aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit politik nga shumica.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.