
Ish-komandanti suprem i NATO-s dëshmon në Hagë se UÇK nuk kishte komandë e kontroll të strukturuar.
Gjenerali Wesley Clark ka dëshmuar në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte e përbërë nga persona të vetorganizuar dhe pa strukturë të qartë komanduese, ndërsa sipas tij Ushtria Serbe frikësohej nga veprimet e tyre.
“Ishte e qartë që bëhej fjalë për grupe të pavarura. Ishin grupe të motivuara, ishin duke luftuar. Ndonjëherë ata kapnin dikë, për shembull; në një pikë ata kapën një rus dhe unë thashë që nuk jam i interesuar për këtë gjë. Domethënë, me një fjalë, nuk kishte mënyra komunikimi; ishin thjesht njerëz të vetorganizuar,” tha Clark.
Ai shtoi se, ndonëse ushtria serbe frikësohej prej tyre, UÇK-ja nuk kishte komandë dhe kontroll të strukturuar. “Sa i takon komandës dhe kontrollit, ose forcës së koordinuar, asnjëra prej këtyre nuk ekzistonte,” deklaroi ai, duke sqaruar se strukturat e NATO-s dhe vëzhguesit amerikanë në kufirin me Shqipërinë nuk kishin mundësi të mblidhnin informacion të besueshëm për organizimin e brendshëm të UÇK-së.
“Komanda është kompetenca — autoriteti — ndërsa kontrolli është mënyra për ta mbikëqyrur dhe udhëzuar. Me aq sa pamë ne, nuk kishte asnjë prej këtyre elementeve,” shtoi Clark, raporton “Betimi për Drejtësi”.



