
Ish-presidenti amerikan thotë se njëri prej tyre ishte për ushtarët amerikanë në Adriatik gjatë luftës në Kosovë.
Bill Clinton, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një ndër figurat më të dashura për popullin e Kosovës, ka treguar se nuk ka qenë ndonjëherë shumë i dhënë pas përdorimit të emailit, duke kujtuar vetëm dy raste kur ka dërguar mesazhe elektronike.
Ai ka thënë se një nga emailet e pakta që mban mend ta ketë dërguar ishte për burrat dhe gratë e ushtrisë amerikane në bordin e një anijeje në Detin Adriatik, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë.
Clinton po ashtu kujtoi se kishte dërguar një email për ish-senatorin amerikan John Glenn, kur ky i fundit – njëherësh ish-astronaut i NASA-s – ndodhej në hapësirë në moshën 77-vjeçare.
I pyetur nëse kujton të ketë dërguar ndonjëherë emaile, Clinton u shpreh:
“I dërgova një email John Glenn-it, Senatorit John Glenn, kur ishte në hapësirë në moshën 77-vjeçare. Dhe u dërgova një email burrave dhe grave në bordin e një anijeje të SHBA-së në Adriatik gjatë luftës në Kosovë. Që atëherë nuk jam i sigurt nëse kam dërguar ndonjë.”



