
Artistja e njohur sjell një mesazh të fortë kundër dhunës dhe fajësimit të viktimës, duke rrëfyer përvojat me depresion dhe ankth.
Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Dafina Zeqiri, vazhdon të shfrytëzojë artin e saj për të trajtuar tema të ndjeshme që ndikojnë drejtpërdrejt në shoqëri, shkruan Gazeta Sinjali.
Njëra nga këngët më të suksesshme të saj, “Duro”, përçon një mesazh të fuqishëm rreth depresionit, ankthit dhe dhunës ndaj grave. Përmes kësaj kënge, Dafina kritikon ashpër një mentalitet shoqëror që, në shumë raste, zgjedh të mbrojë dhunuesin dhe të fajësojë viktimën.
Kënga pasqyron ngjarje aktuale në vend, por njëkohësisht merr si shembull edhe historinë personale të artistes para disa vitesh, kur ajo ishte abuzuar nga i dashuri i saj në fillimet e karrierës. Në atë periudhë, Dafina përballej jo vetëm me dhunën, por edhe me akuza dhe paragjykime nga shoqëria dhe mediat.
“Si mundet: sa herë një grua përdhunohet, abuzohet, kërcënohet, madje edhe vritet? Një nga justifikimet që dëgjon nga djemtë është: ‘Ajo më tradhtonte’, ‘Donte vetë’, ‘E kërkoi vetë’”, shprehet artistja, duke vënë në pah standardet e padrejta dhe të rrezikshme që vazhdojnë të mbizotërojnë.
Me “Duro”, Dafina Zeqiri jo vetëm që rrëfen dhimbjen personale, por ngrit zërin për të gjitha gratë që përballen me dhunë dhe heshtje, duke i dhënë muzikës së saj një rol të rëndësishëm shoqëror.



