
Deputeti i AAK-së thotë se Vjosa Osmani është “koka e fundit” e larguar politikisht nga rrethi i Kurtit.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për eliminim politik të figurave të rëndësishme brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj tha se Kurti njihet për largimin e individëve që, sipas tij, kanë fituar ndikim të madh brenda partisë apo në skenën ndërkombëtare.
Ai përmendi disa emra që dikur ishin figura të rëndësishme në Vetëvendosje, por që sot nuk janë më pjesë e saj.
“Një prej figurave kyçe të VV-së që i ka marrë mbi 300 mijë vota është eliminuar politikisht. Zoti Kurti njihet botërisht për eliminimin e kokave të cilave iu ka rrit niveli në aspektin e brendshëm ose ndërkombëtar. Kështu ka ndodhur me Shpendin, me Dardanin, me Dukagjin Goranin, kush i mban mend këta djem, Haki Abazin, që ka qenë më i fuqishmi kundër opozitës”, tha Haradinaj.
Ai përmendi gjithashtu edhe emra të tjerë që dikur kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes, si Ilir Deda, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti dhe Dardan Sejdiu.
Sipas Haradinajt, rasti më i fundit i një eliminimi të tillë politik është ai i presidentes Vjosa Osmani.
“Vjosa Osmani ishte koka e fundit”, përfundoi ai.



