
Deda reagon pas fjalimit të Kurtit në Këshillin e Vetëvendosjes.
Opinionisti Ilir Deda ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje e cilësoi profesorin universitar Murat Jasharin si “figurë ideale unifikuese” për President të Kosovës.
Kurti kishte theksuar se vendit i duhet një figurë që “i bën ballë shtrëngatave”, duke përmendur familjen Jashari si simbol të unitetit kombëtar dhe duke shtuar se zgjedhja e Murat Jasharit “do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”. Ai kishte pranuar se Vetëvendosje nuk i ka e vetme 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit dhe se për këtë arsye ka zhvilluar takime me opozitën.
Megjithatë, Deda e ka cilësuar këtë qasje si joserioze. “Kjo loja me presidencë është tallje me Kosovën,” ka deklaruar ai.
Sipas Dedës, së pari, Murat Jashari ka thënë “jo” të prerë për postin e presidentit. Së dyti, ai thekson se nuk ndërtohet një proces politik për “figurë konsensuale” vetëm me një emër të përveçëm, madje pa pasur as miratimin e vetë personit.
Deda shton se procesi që nisi me fjalë të mëdha si “bashkëpunim”, “raporte të reja me opozitën” dhe “dialog me partitë politike”, po del të ketë qenë më shumë një farsë sesa një përpjekje reale për bashkëbisedim në të mirë të vendit.
Ai thekson se një “president partiak” mund të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike për bashkëqeverisje. “Kjo çka po ndodhë nuk është politikë,” ka përfunduar Deda.
Ndërkohë, afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 4 mars. Nëse nuk arrihet zgjedhja në Kuvend, vendi përballet me zgjedhje të parakohshme.



