
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se standardet kushtetuese nuk mund të ndryshohen sipas interesave politike.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar Lëvizjën Vetëvendosje lidhur me qëndrimet e saj për procesin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë.
Deliu ka deklaruar se në të kaluarën deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit kur janë zgjedhur presidentët Atifete Jahjaga, Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi.
Sipas saj, sot e njëjta parti po kërkon nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që deputetët të obligohen të jenë të pranishëm në sallë gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Kur u zgjodhën presidentët Atifete Jahjaga, Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishin në sallë. Sot, e njëjta parti kërkon nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që deputetët të obligohen të jenë në sallë për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Deliu.
Ajo ka shtuar se standardet kushtetuese nuk mund të ndryshojnë në varësi të interesave të momentit politik.



