
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka thënë se në fillim të javës së ardhshme do të duhej të mbahej seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka theksuar se sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës ka mundësi edhe për seancë të jashtëzakonshme.
“Sipas rregullores së Kuvendit janë dy mundësi të ftohen seancat, të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Nëse ka seancë të jashtëzakonshme mund të jetë në fund të javës ose në vikend., eventualisht seanca e rregullt do duhej të thirrej në fillimin e javës që po vjen”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre”.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit të publikuar të mërkurën, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Nëse nuk do të ketë president brenda kësaj periudhe të përcaktuar nga Kushtetuta, atëherë bazuar në afatet e përshkruara në aktgjykim, deri më 7 qershor qytetarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit.
Me gjithë reagimet politike se dekreti ishte ose jo kushtetues, Presidenca pas aktgjykimit ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani e ka “mirëpritur” aktgjykimin e Kushtetueses, nëpërmjet të cilit i është rrëzuar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithëkëtë, në deklaratën e lëshuar pas shpalljes së aktgjykimit, është thënë se ai “konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”.



