
Gjatë dëshmisë së John Duncan në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, u prezantua një incizim ku ish-presidenti Hashim Thaçi intervistohej nga hetues ndërkombëtarë lidhur me dokumentin e Marrëveshjes së Demilitarizimit të UÇK-së.
Në këtë video, Thaçi deklaronte se dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej nga Agim Çeku. “Dokumenti që ma prezantuat ka qenë për t’u nënshkruar nga Agim Çeku, ka qenë i diskutuar më herët dhe besoj që ai mund ta sqarojë atë rrethanë se pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi”, dëgjohej duke thënë Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se, ndonëse emri i Çekut ishte zëvendësuar me të tijin, titulli “Komandant i Përgjithshëm” kishte mbetur i pandryshuar. “Në momentin e fundit është ndryshuar emri i tij me timin dhe kam mbetur. Por nuk është ndërruar Commander in Chief (Komandant i Përgjithshëm). Ka qenë rrëmujë dhe gjithçka është bërë shpejt e shpejt. Ka qenë dëshmitar edhe ndihmëssekretari i zonjës Albright, James Rubin”, tha Thaçi në incizim.
Teksa transmetohej kjo video, dëshmitari John Duncan qeshi me zë dhe pohoi se ajo që tha Thaçi ishte e saktë.



