
Kryetari i Kuvendit sqaroi se një punim i tij i para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull në një botim më të gjerë dhe se tashmë është hequr nga revista bashkë me emrin e tij në autorësi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar publikisht lidhur me një publikim akademik ku ishte listuar si bashkë-autor. Ai tha se bëhej fjalë për një punim të tij nga studimet para 13 viteve, i cili ishte përfshirë si kapitull i tretë në një botim më të gjerë.
Basha sqaroi se, sapo është informuar për këtë, ka kërkuar nga revista në fjalë që kapitulli i tij të hiqet plotësisht nga publikimi.
“Komiteti i Publikimeve i Revistës më ka njoftuar sot se ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr”, deklaroi Basha.
Ai falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe theksoi se ka vepruar menjëherë për të qartësuar situatën.



