
Kreu i LDK-së thotë se i ka paraqitur Kurtit tri alternativa për zgjedhjen e presidentit, duke përjashtuar imponimin e kandidatit.
Kryetari i Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka treguar detaje nga diskutimi që kishte me kryeministrin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku tha se gjatë takimit e kishte pyetur Kurtin nëse synimi është që vendi të shkojë në zgjedhje apo të arrihet një marrëveshje politike.
“A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes? Dhe nëse shkojmë drejt zgjedhjes atëherë i kemi tri alternativa, zgjedhjes së Presidentit e kam fjalën dhe jo zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, alternativa e parë është një kandidaturë e imponuar, e cila sipas tij do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
“E para që na dërgon në zgjedhje parlamentare është kandidatura e imponuar. Pra, në qoftë se imponon kandidaturë atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush. Dhe mu tha që nuk ka qëllim për imponim”, theksoi ai.
Abdixhiku shtoi se dy alternativat e tjera janë gjetja e një kandidati konsensual, pa përkatësi partiake, ose një marrëveshje klasike politike mes partive.
“E para ishte gjetja e një kandidati konsensual, të gjerë, pa librezë partiake dhe e dyta ishte marrëveshja klasike politike. Dhe mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë”, u shpreh Abdixhiku.



