Dita Evropiane e Logopedisë, sfidat e zhvillimit në të folur!

Çdo vit më 6 mars në të gjithë Evropën shënohet Dita Evropiane e Logopedisë, një ditë që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e komunikimit dhe për rolin e logopedëve në vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të të folurit dhe gjuhës.

“Kjo ditë shërben gjithashtu për të informuar publikun mbi sfidat aktuale në zhvillimin e komunikimit dhe për të theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së hershme” thotë Urtina Baftiu logopede.

banner

Baftiu thotë se tema e këtij viti në nivel evropian është “Formësimi i së ardhmes së logopedisë me inteligjencën artificiale”, e cila vë në pah mundësitë që teknologjitë moderne dhe inteligjenca artificiale ofrojnë për profesionin e logopedisë.

“Këto zhvillime mund të ndihmojnë në vlerësimin më të saktë të çrregullimeve të të folurit, në krijimin e materialeve terapeutike dhe në monitorimin e progresit të pacientëve, duke mbështetur punën profesionale të logopedëve” shton Baftiu.

Logopedia është një profesion shëndetësor dhe edukativ që merret me vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të të folurit, gjuhës, komunikimit, zërit dhe gëlltitjes tek fëmijët dhe të rriturit.

Përmes metodave të specializuara terapeutike dhe programeve të individualizuara, logopedët ndihmojnë individët të zhvillojnë aftësitë e komunikimit dhe të përmirësojnë funksionimin e tyre në jetën e përditshme.

Edhe në Kosovë, vitet e fundit është vërejtur një rritje e numrit të fëmijëve me vështirësi në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës.

Ndër faktorët që mund të ndikojnë në këtë fenomen përmenden përdorimi i hershëm dhe i tepruar i pajisjeve elektronike, ekspozimi i gjatë ndaj ekraneve, mungesa e ndërveprimit verbal në familje, si dhe faktorë të ndryshëm zhvillimorë dhe neurologjikë.

Në këtë kontekst, roli i logopedëve në Kosovë është gjithnjë e më i rëndësishëm në identifikimin dhe trajtimin e hershëm të këtyre vështirësive.

Vlerësimi profesional dhe terapia e individualizuar ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të komunikimit tek fëmijët, duke kontribuar në zhvillimin e tyre social, emocional dhe akademik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.