
Demokracia në Veprim, një nga OJQ e respektuar të Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave për kandidatët për deputetë.
DnV-ja ka vlerësuar se ekziston një indikator i problemeve “serioze strukturore” në çështjen e numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
“Edhe pse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor
Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore.
Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi dhe për rinumërimin e 100% të vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i theksuar i rezultateve (Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug), e që në total përbëjnë afër 36% të vendvotimeve në Kosovë, DnV vlerëson që kjo masë është e pamjaftueshme. Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin” – ka shkruar Demokracia në Veprim.



