Kica-Xhelili për VV-në: Përveç që familjarët s’i kanë më veç për dasma, edhe votat e mërgatës duan t’i qojnë në restorante

Deputetja thotë se PZAP ka parandaluar votimin në ambiente private dhe dërgimin e fletëvotimeve përmes e-mailit.

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të PZAP-së, duke akuzuar partinë në pushtet se po përpiqet të hapë mundësi për manipulim të votave të mërgatës. Përmes një postimi, ajo tha se VV-ja po bën zhurmë vetëm pse PZAP nuk lejoi votimin jashtë përfaqësive diplomatike, në ambiente private si restorante ose lokale të lidhura me militantë politikë.

banner

Sipas saj, një praktikë e tillë do të linte procesin zgjedhor pa asnjë garanci sigurie. Kica-Xhelili po ashtu kritikoi idenë që fletëvotimet të dërgohen përmes e-mailit, duke pretenduar se një hap i tillë do t’i mundësonte individëve të printonin dhe mbushnin fletëvotime pa kontroll, duke rikujtuar se raste të tilla janë trajtuar edhe nga prokuroria.

Në reagimin e saj, ajo theksoi se mërgata do të votojë masivisht si çdo herë, në ambasada, me postë ose duke ardhur fizikisht në Kosovë, por sipas saj, opozita “nuk do t’i lejojë VV-së të krijojë hapësirë për fabrikim dhe kontrabandim të votave”.

Harrojeni që do t’ua lëmë juve mundësinë t’i fabrikoni votat e mërgatës, sikurse dukshëm paskeni bërë deri tani,” shkroi ajo.

Kica-Xhelili e përmbylli reagimin me bindjen se PZAP ka mbrojtur integritetin zgjedhor duke mos e pranuar modelin e votimit në ambiente private dhe procedurat e komunikimit elektronik për fletëvotime.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.