
Hykmete Bajrami më nuk është nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bajrami tashmë ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky post. Megjithatë, dorëheqja e Bajramit mund të lexohet si dorëheqje “me hile”, pasi Bajrami ia kërkoi në të njëjtin status edhe dorëheqjen e parevokueshme të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së.
Në një status në Facebook, Bajrami shkroi se ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut në emër të një “standardi” që e ka vendosur vetë LDK-ja.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme” – ka shkruar Bajrami.
Në fakt, në historinë e LDK-së vetëm një herë ka pasur dorëheqje nga kryetarllëku pas humbjes së zgjedhjeve. Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, kishte dhënë dorëheqje në vitin 2021, pasi kishte humbur katër palë zgjedhje radhazi.
LDK-ja e Mustafës humbi në zgjedhjet e vitit 2014, 2017, 2019 dhe 2021. Madje, në vitin 2021, kur kryetar ishte Mustafa e kandidat për kryeministër ishte Hoti, LDK-ja ishte në pozitën më të keqe elektorale.
Mustafa, të cilit në ndërkohë i ishte renduar shëndeti, u detyrua të dorëhiqej nga posti i LDK-së edhe për shkak të humbjes, ndarjes në dysh të LDK-së, përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja dhe gabimeve të tjera strategjike.
Megjithatë, Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës, nuk ishte dorëhequr nga posti i kryetarit të LDK-së pas humbjes në vitin 2007. Madje, ai e kishte mbajtur edhe postin e kryetarit të LDK-së, edhe atë të presidentit të Kosovës.
Në këtë kontekst, ajo që Bajrami e quan si “standard i vendosur nga vetë LDK-ja” nuk ka ekzistuar në shumicën e kohës pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidentit historik. Për më shumë, dorëheqja e Mustafës pas humbjes katastrofike më 2021 – që ishte humbja e katër e zgjedhjeve – është aksident dhe jo rregull. Madje, Mustafa ishte i detyruar të dorëhiqej pas rënies drastike të LDK-së.
Përndryshe, përmes një statusi në Faceook, Abdixhiku i është kundërpërgjigjur Bajramit.
“Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak.
Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së.
Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht” – ka shkruar Abdixhiku, ndër të tjera.



