
Kryetarja e deritanishme Rabije Haklaj thotë se vendimi erdhi pas zhgënjimit me partnerët e koalicionit dhe qëndrimin e partisë ndaj çështjes së presidentes.
E gjithë anëtarësia e degës së Guxo në Deçan, së bashku me kryetaren dhe kryesinë, kanë dhënë dorëheqje kolektive nga ky subjekt politik.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e deritanishme e kësaj dege, Rabije Haklaj, e cila ka njoftuar se vendimi është marrë në mënyrë unanime nga strukturat e degës.
Sipas saj, një ndër arsyet kryesore të dorëheqjes është situata e krijuar rreth moskandidimit të presidentes Vjosa Osmani për një mandat të ri.
“Por ajo që ndodhi këto ditë, neve si Degë e Partisë Guxo në Deçan jo vetëm që na indinjoi, por edhe na zhgënjeu pa masë. Ishte një tradhti e pastër nga partneri i koalicionit, i cili, ndonëse e shihte vullnetin masiv të qytetarëve falë punës së jashtëzakonshme të Presidentes Osmani, veproi në mënyrë të papranueshme”, ka shkruar Haklaj në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se vendimi për dorëheqje është marrë në një mbledhje të mbajtur më 8 mars, ndërsa nga 12 marsi 2026 dega e partisë në Deçan pushon së funksionuari dhe ndërpret çdo mbështetje për partinë.
Haklaj ka shtuar se ajo dhe anëtarësia e deritanishme do të vazhdojnë angazhimin politik, duke theksuar se mbeten të përkushtuar ndaj frymës rugoviane dhe se do të qëndrojnë krah presidentes Osmani në rrugëtimin e tyre të ardhshëm politik.



