
Kryetari i sapo-betuar zotohet për bashkëpunim me institucionet në Prishtinë dhe misionet ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e sigurisë për çdo familje në komunë.
Dragisha Miloviq ka dhënë sot betimin si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit, duke e cilësuar këtë ditë si të rëndësishme pas tre viteve pa institucione të plota lokale. Ai tha se Kuvendi komunal më në fund po merr përfaqësuesit legjitimë, ndërsa falënderoi qytetarët për mbështetjen në procesin zgjedhor.
Në fjalimin e tij pas betimit, Miloviq paralajmëroi se periudha në vijim nuk do të jetë e lehtë dhe se komunën e presin sfida të shumta. Ai theksoi se prioritet mbetet ruajtja e paqes dhe sigurisë për të gjithë banorët e Zveçanit.
“Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, u shpreh ai.
Miloviq njoftoi se do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet qendrore dhe me misionet ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
“Do të bashkëpunoj me përfaqësuesit e KFOR-it, EULEX-it, OSBE-së, me të gjitha institucionet në Prishtinë, me MAPL-in dhe me mediat. Qeverisja lokale duhet të jetë e fokusuar te qytetarët. Kushdo që vjen këtu të mirëpritet… për të mirën e qytetarëve tanë”, deklaroi ai.
Me këtë betim, Zveçani hyn në një fazë të re të qeverisjes lokale, ku Miloviq premton stabilitet dhe bashkëpunim për funksionim normal institucional.



