
Ish-këshilltari i Wesley Clarkut, John Stewart Duncan, dëshmoi se nuk ka pasur raportime për dhunë të urdhëruar nga Hashim Thaçi ndaj civilëve dhe se shifrat e UÇK-së mbetën të paqarta gjatë asaj kohe.
Ish-këshilltari i komandantit të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan, ka dëshmuar për të dytën ditë me radhë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai u pyet për një deklaratë të Pentagonit të vitit 1999, ku parashikohej largimi i serbëve pas ardhjes së NATO-s në Kosovë. Duncan tha se kishte reflektuar mbi këtë çështje dhe kujtoi se drafti i parë i marrëveshjes për demilitarizimin përfshinte parandalimin e sulmeve shpaguese, formulim që më pas u zgjerua duke përfshirë edhe mbrojtjen e civilëve dhe të burgosurve.
Në sallë u përmend edhe deklarata e gjeneralit britanik Mike Jackson, i cili kishte thënë se nuk kishte prova që UÇK-ja të kishte praktikuar spastrim etnik të serbëve. “Po, pajtohem me vlerësimin e tij”, tha Duncan. Ai shtoi gjithashtu se, sipas njohurive të tij, Jackson nuk kishte raportuar ndonjëherë se Hashim Thaçi kishte urdhëruar akte dhune ndaj civilëve.
Duncan tregoi se gjatë vitit 1998 kishte shërbyer në Tiranë për rreth tetë muaj, ndërsa vizitat e tij në Kosovë gjatë luftës ishin të shkurtra. Ai kujtoi gjithashtu se në vitin 2000 kishte qëndruar disa ditë në Kosovë për çështje të raportimeve të NATO-s.
Sa i përket numrit të luftëtarëve të UÇK-së, ai tha se NATO e vlerësonte mes 20 dhe 25 mijë, por sipas tij, shifra mund të shkonte deri në 30 mijë. “Nuk kishte numër ekzakt sepse shumë persona kërkonin të regjistroheshin si pjesëtarë të UÇK-së, edhe pse nuk kishin qenë më parë. Pra, ishte e pamundur të përcaktohej saktësisht”, theksoi ai.



