
Historiani: “Nga analfabetizmi te një shoqëri moderne dhe demokratike brenda tre brezash”.
Historiani Durim Abdullahu e ka përshkruar momentin kur Vjosa Osmani dorëzoi detyrën tek Kryekuvendarja Albulena Haxhiut si një simbol të përparimit historik të shoqërisë kosovare.
Abdullahu thekson se fotografia e shkrepur në zyrën e Presidencës nuk është thjesht një moment ceremonial, por një dëshmi vizuale e transformimit të Kosovës.
“Sot, dy gra, Albulena Haxhiu dhe Vjosa Osmani, në një ceremoni shtetërore e përcollën detyrën e Presidentes së Kosovës mes tyre. Para vetëm shtatë dekadash, mbi 80% e banorëve të Kosovës ishin analfabetë, prej të cilëve mbi 95% ishin gra. Në vitet ’80, autoritetet jugosllave propagandonin stigmën raciste që gratë shqiptare ishin ’fabrika fëmijësh’, për të frenuar natalitetin e shqiptarëve. Ato kohë ishte e papërfytyrueshme që pas kaq pak kohësh, një shoqëri aq e izoluar nga bota, e shtypur politikisht, e diskriminuar ekonomikisht dhe e kufizuar kulturalisht mund t’ia dilte të shndërrohej brenda tre brezash në një shoqëri moderne dhe një shtet demokratik sipas modelit dhe vlerave europiane. Kjo fotografi i ka të fiksuara këto zhvillime me peshë historike për Kosovën, kombin shqiptar dhe historinë politike të Europës.”
Sipas Abdullahut, ky imazh simbolizon rrugëtimin nga izolimi dhe shtypja te demokracia, barazia gjinore dhe afirmimi ndërkombëtar, duke e bërë këtë një ditë historike për Kosovën.



