
Siç ka mësuar KOHA, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ftuar për intervistim 68 persona, lidhur me dyshimet për dallavere me vota në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në komunën e Malishevës.
Përndryshe, orë më parë u raportua për dyshime për manipulim me vota në Malishevë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur të mërkurën një aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në komunën e Malishevës, duke intervistuar dhjetëra komisionerë.
Ngjashëm si në Prizren, edhe në Malishevë, dallimet më të mëdha në numrin e votave pas rinumërimit janë evidentuar te Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në këtë parti, kandidati Gazmend Maliqaj ka rezultuar me 927 vota më pak, ndërsa Fetah Paçarizi, i cili në Prizren kishte mbi 6 mijë vota më pak, në Malishevë ka pasur 728 vota më pak.
Po ashtu, kandidati Adnan Thaqi ka humbur 703 vota pas rinumërimit, ndërsa Hajdar Beqa dhe Arbnor Salihu kanë pasur nga 244, përkatësisht 209 vota më pak.



