
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një fitore të madhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke arritur shifër rekorde të votave.
VV-ja fitoi mbi 50 për qind të votave. Më saktë, VV-ja, që udhëhiqet nga Albin Kurti, mori 50.50 për qind të votave deri tani. Përkthyer në vota, VV-ja ka fituar 462.487 vota, duke lënë pas PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.
Megjithatë, Kurti nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja. Në një prononcim, Kurti vlerësoi se ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që të ketë sërish zgjedhje në Kosovë.
Sipas Kurtit, e gjitha lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri, pasi Vjosa Osmanit i skadon mandati më 4 mars.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten apo ta zgjedhim presidentin. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, tha Kurti.



