
Ish-kongresisti amerikan e kujtonte presidentin historik si lider të qetë, të mençur dhe të qëndrueshëm.
Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel, i njohur si një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të Kosovës, i cili ndërroi jetë së dje, kishte folur me vlerësim të lartë për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në një intervistë për emisionin Gjurmët të Radio Televizioni i Kosovës, Engel e përshkruante Rugovën si një lider të matur dhe shumë të zgjuar, i cili kishte cilësitë e duhura për ta udhëhequr Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.
“Ai vërtet ishte i matur dhe një njeri shumë i zgjuar. Nuk ishte i ngutshëm. Ishte i kujdesshëm dhe ishte njeriu i duhur në kohën e duhur për ta udhëhequr Kosovën drejt pavarësimit”, kishte thënë Engel.
Sipas tij, ajo që e karakterizonte më së shumti Rugovën ishte qetësia dhe qëndrueshmëria në udhëheqje.
“Ajo çka më kujtohet më së miri për të është sjellja e tij e qetë dhe shumë e qëndrueshme deri në krye. E dije që ai ishte në krye dhe ai e dinte se çfarë donte të bënte”, ishte shprehur Engel.
Ai kishte theksuar se Rugova krijonte ndjenjën se procesi drejt pavarësisë së Kosovës ishte një lëvizje e qëndrueshme dhe e menduar mirë, jo diçka e përkohshme.
Engel madje e kishte krahasuar Rugovën me figura të mëdha botërore që udhëhoqën popujt e tyre drejt lirisë, si Desmond Tutu.
“Ibrahim Rugova ishte pjesë e kësaj kategorie. I qëndrueshëm deri në fund, efektiv, gjithmonë duke ecur përpara dhe sinqerisht një njeri i mirë”, kishte thënë Engel.
Sipas tij, një nga arsyet pse Kosova arriti pavarësinë disa vite më vonë lidhet edhe me themelin politik dhe institucional që Rugova kishte vendosur gjatë udhëheqjes së tij.
Komenti i tij i plotë:
Ai vërtet ishte i matur dhe një njeri shumë i zgjuar. Ai nuk ishte i ngutshëm, të paktën unë nuk e kam parë këtë anë të tij, nëse ishte ashtu. Por ishte i kujdesshëm dhe ishte njeriu i duhur në kohën e duhur për ta udhëhequr Kosovën drejt pavarësimit.
Ajo çka më kujtohet më së miri për të është sjellja e tij e qetë dhe shumë e qëndrueshme deri në krye.
E dije që ai është në krye; ai e dinte se çfarë donte të bënte dhe të jepte ndjenjen që nuk është diçka që vjen sot e ikën nesër, por një strukturë e qetësisë dhe e lëvizjes drejt një drejtimi, që natyrisht ajo lëvizje ishte drejt pavarësisë së Kosovës. Kjo mendoj që ishte fuqia e tij. Ne së fundmi kemi dëgjuar që në Afrikën e Jugut, Desmond Tutu ka vdekur dhe është interesante kur i shikoni këta gjigantë që kanë udhëhequr shtete drejt pavarësisë dhe lirisë. Ibrahim Rugova ishte pjesë e kësaj kategorie. Kjo është mënyra si e kujtoj: i qëndrueshëm deri në fund, efektiv, gjithmonë duke ecur përpara dhe, sinqerisht, një njeri i mirë. Dukshëm i brengosur për popullin e vet, andaj mendoj që një nga arsyet pse disa vite më vonë Kosova u bë e pavarur ka të bëjë me themelin që ai ka vendosur.



