
Komandanti i zjarrfikësve thotë se situata nuk është e mirë, ndërsa disa banorë refuzojnë evakuimin.
Nga ora dy e mëngjesit e deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë, ka bërë të ditur Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi.
Sipas tij, si pasojë e vërshimeve, situata në këtë pjesë të qytetit nuk është e mirë, pasi uji ka përfshirë pothuajse tërë zonën. Ibishi ka theksuar se ekipet në terren po përballen edhe me vështirësi shtesë, pasi disa banorë po refuzojnë evakuimin.
“Disa banorë po dalin, disa jo. Kjo po na krijon problem dhe po kërkon organizim të kujdestarisë. Gjendja nuk është e mirë, por nuk mund të them se është diçka jashtëzakonisht alarmante”, ka deklaruar Ibishi për Kosovapress.
Ai ka shtuar se për momentin ujërat janë ende brenda shtretërve të tyre dhe nuk kanë dalë jashtë, por lagjet “2 Korriku” dhe “Lisica” mbeten më problematiket. Në këto zona, zjarrfikësit po përballen me më së shumti telashe dhe po qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme për të reaguar në rast të përkeqësimit të situatës.



