
Asamblisti i LDK-së në Lipjan reagon pas raportimeve në media për iftarin ku mori pjesë presidentja.
Asamblisti i Lidhjës Demokratike të Kosovës në Lipjan, Fadil Sopa, ka reaguar pas raportimeve në media për një iftar ku mori pjesë presidentja e Kosovo, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga deputeti Haxhi Avdyli.
Sopa ka sqaruar se takimi nuk kishte asnjë karakter politik, por ishte pjesë e një tradite familjare që familja e tij e mban prej vitesh gjatë muajit të Ramazanit.
“Prej më shumë se 10 vitesh, familja Sopa çdo Ramazan e fton për iftar presidenten Vjosa Osmani. Edhe mbrëmë ajo ishte e ftuar në familjen time, e shoqëruar nga familja dhe kabineti i saj. Kjo është një traditë familjare dhe një mikpritje që e kemi ruajtur ndër vite”, ka shkruar Sopa.
Ai ka shtuar se gjatë mbrëmjes kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë që kanë ardhur për ta përshëndetur presidenten.
Sipas tij, gjatë iftarit kanë ardhur shumë qytetarë për ta takuar Osmanin dhe për të bërë fotografi me të, por kjo nuk ka qenë në asnjë mënyrë një organizim partiak.



