
Kryetari i Nismës thotë se çdo votë është amanet dhe se rruga politike e nisur do të vazhdojë me vendosmëri dhe organizim.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka falënderuar qytetarët e Kosovës, përkrahësit dhe bashkëudhëtarët e tij politikë për mbështetjen e dhënë gjatë garës së fundit zgjedhore, duke theksuar se rruga e ndjekur, ndonëse e vështirë, ka qenë e drejtë.
Në një mesazh me rastin e përfundimit të vitit, Limaj vlerësoi mobilizimin dhe përkushtimin e mbështetësve të tij, duke nënvizuar se përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që mbetet thelbësore është besimi dhe qëndrueshmëria ndaj vlerave që përfaqëson subjekti politik që ai drejton.
“Çdo votë është amanet dhe çdo përkrahës është forcë”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se kjo etapë e re politike i obligon të jenë edhe më të përgatitur dhe më të organizuar në të ardhmen.
Ai theksoi se viti i ardhshëm do të jetë vit pune, përgjegjësie dhe angazhimi të shtuar, ndërsa riafirmoi bindjen se Kosova mund të ecë përpara vetëm përmes bashkimit, pjekurisë politike dhe një vizioni të qartë për të ardhmen.
Në fund të mesazhit, Limaj uroi qytetarët për Vitin e Ri, duke ju dëshiruar shëndet, paqe dhe mbarësi, si dhe duke ritheksuar se rruga politike e nisur nuk do të ndalet, por do të forcohet edhe më tej.



