
Homazhet po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ceremonia e varrimit me nderime shtetërore pritet të zhvillohet pasdite në Dragodan.
Kanë filluar homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nexhat Daci, të cilat po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në këto homazhe po marrin pjesë familjarë, përfaqësues të institucioneve, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë, të cilët po i bëjnë nderimet e fundit të ndjerit.
Sipas agjendës zyrtare të ceremonive mortore, aktivitetet përkujtimore do të vazhdojnë gjatë ditës me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore është paraparë të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.



