
Shktuan: Sead Zimeri:
Ajo që trondit te rasti i Jeffrey Epstein nuk është vetëm degjenerimi moral, por shtrirja planetare e lidhjeve. Nuk është histori vetëm e një vendi. Është një rrjet që lidh figura të fuqishme nga Amerika, Evropa, Azia, Afrika, Lindja e Mesme dhe madje edhe periferi si Ballkani. Politikanë, biznesmenë, figura të familjeve mbretërore, VIP-a, të gjithë brenda të njëjtit univers pushteti.
Kjo na tregon si funksionon pushteti sot.
Së pari, solidariteti i elitave përtej kufijve. Elitat e sotme kanë më shumë gjëra të përbashkëta me njëra tjetrën sesa me qytetarët e vendeve të tyre. Jetojnë në të njëjtat qarqe, ndajnë të njëjtat interesa, të njëjtin stil jete. Besnikëria reale është ndaj klasës së tyre, jo ndaj shoqërive që i rrethojnë. Ne e kemi dëbuar fjalën “klasë” nga gjuha jonë publike, sikur të ishte diçka e vjetruar. Por në majë të shoqërisë, klasa nuk është teori, është realitet i përditshëm që organizon lidhjet, mbrojtjen dhe heshtjen.
Së dyti, pushteti si rrjet, jo vetëm si shtet. Pushteti modern nuk funksionon vetëm si hierarki brenda shteteve, por si rrjete private që i lidhin elitat horizontalisht. Jo përmes institucioneve publike, por përmes marrëdhënieve personale, klubeve, fondacioneve, kontakteve që publiku nuk i sheh.
Së treti, komprometimi i ndërsjellë si garanci heshtjeje. Kur shumë figura të fuqishme ndajnë sekrete të rënda, krijohet një zinxhir varësie. Secili ka diçka për të humbur nëse faji bëhet publik. Kjo e mban sistemin të mbyllur dhe të heshtur.
Së katërti, paradoksi i ekspozimit. Kur del në dritë një pjesë e këtij rrjeti, goditja është e madhe sepse gjithçka është e ndërlidhur. Por po aq e madhe është edhe aftësia për ta shpërndarë fajin, për ta mjegulluar çështjen, për ta lodhur publikun derisa gjithçka të shuhet.
Problemi është ky. Në letër, shtetet mund t’i ndëshkojnë qytetarët e vet. Por kur bëhet fjalë për figura shumë të fuqishme, drejtësia nuk përballet vetëm me individin, por me gjithë sistemin, klasën, që e mbron atë. Dhe aty gjërat fillojnë të mjegullohen.



