Flamur Beqiri: Narrativa e luftës dhe “blerja” e paqes sociale

Narrativa e luftës dhe blerja e paqes sociale, maska që fsheh mungesën e ofertës nga LVV.

Shkruan: Flamur Beqiri

banner

Në Kosovë, retorika politike shpesh vishet me simbole të mëdha, identitet, krenari kombëtare, luftë, heroizëm. Por kur këto simbole shndërrohen në armën kryesore të një partie, në këtë rast LVV, për të mbuluar mungesën e vizionit ekonomik dhe social, atëherë shfaqet realiteti problematik, politika e retorikës nxen vendin e politikës së përparimit.

Ky është problemi me qasjen që ka Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në shumë zgjedhje e deklarata, narrativa e luftës kundër Serbisë është shndërruar në themel të fushatës së saj elektorale. Me pasion patriotik dhe tone dramatike e primitive, shumë prej premtimeve dhe nismave politike, jo pak herë, lidhen me sigurinë ushtarake, me përballje me armiq të jashtëm po edhe të brendshëm dhe me rivendosje me çdo kusht të krenarisë historike.
Në vend që të ofrojë një vizion të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik, perspektiva për punësim, investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe mirëqenie sociale, LVV zgjedh ta mbajë vëmendjen të përqendruar në armatim dhe në imazhe luftarake.
Blerja e paqës sociale përmes korruptimit social, tashmë normë e kësaj qeverie, duke shpërndarë shuma të mëdha mjetesh financiare për kategori të ndryshme të popullatës është njëra prej mënyrave për të mbuluar dështimet ekonomike në pesë vjetshin e fundit.
Që të dy kēto qasje mobilizojnë kategori të ndryshme të shoqërisë, e veqanarisht narrativa e luftës ngjallë emocione dhe ndjenja patriotike, ndërsa keqpërdoron sentimentin nacional. Kjo del të jet një rrugë e sigurt për të fituar mbështetjen elektorale në kushtet kur shoqëria kosovare duket totalisht e çakorduar, për të mos thënë e çoroditur karshi realitetit, ndërsa alternativa konkrete mungon.

Pra, një shtet që investon kryesisht në ushtri dhe retorikë konflikti, dhe shpërndanë para kuturu, ndërkohë që mungon një strategji reale për përparim social e ekonomik, e fut veten në një rreth vicioz, pasiguri afatgjatë, varfëri të mundshme, dhe domosdoshmërisht në izolim ndërkombëtar, siq është edhe duke ndodhur.
E ardhmja e qytetarëve të Kosovës, që duhet të jetë e sigurt, me mundësi zhvillimi dhe jetë normale, zhvleftësohet përballë dramës së përditshme politike.

Kjo qasje, me orientim të ngushtë politik dhe jo të përgjithshëm nacional, nxjerr në pah një realitet shqetësues, kur mobilizohet vetëm nga nostalgji dhe urrejtje historike, politika humbë arsyen për të qenë ndihmëse për qytetarët. Ajo bëhet skenar për manipulim, lëvizje emocionale për interesa të ngushta.

Kështu që duhet larguar logjika e përçarjes dhe kundërshtimit për interes, e duhet vendosur logjika e bashkëpunimit për shtetin, me shoqërinë civile dhe me partnerët ndërkombëtarë. Duhet të ndërtohet besim, jo me retorikë luftarake, por me punë. Pra, politika do të duhej të ishte shërbim.

Nëse politika e djathtë ose e majtë, çfare do që të jetë, synon të fitojë zemrat e njerëzve po aq duhet t’i bindë se ajo është zgjidhja e duhur e cila ofron siguri sociale, perspektivë e mundësi zhvillimi. Një politikë e bazuar në luftë, reale apo metaforike, mund të ngjallë emocion, por rrallë mund të ndërtojë të ardhme.

Në Kosovë, mundësia për të ndërtuar këtë të ardhme është reale, nëse ndërtojmë me pragmatizëm, jo me propagandë. Nëse punojmë për mirëqenie, jo për mit. Nëse politikën e transformojmë në shërbim, e jo në mashtrim.

Në fund, populli nuk ka nevojë për premtime me armë por për premtime që kryhen me punë. Për këtë të ardhme, ne duhet të ushqehemi me vizione reale, jo me frikë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.