Franca përgatit përgjigje me aleatët në rast se SHBA vepron për marrjen e Grenlandës

Ministri i Jashtëm francez thotë se çështja do të diskutohet me Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa Uashingtoni nuk përjashton as opsionin ushtarak

Franca është duke punuar me partnerët e saj evropianë për të përgatitur një plan reagimi në rast se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapa konkretë për të marrë nën kontroll Grenlandën, ka deklaruar të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Noël Barrot.

banner

Barrot ka bërë të ditur se kjo çështje do të ngrihet gjatë takimit të tij me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Polonisë, që pritet të mbahet më vonë gjatë ditës.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti amerikan Donald Trump dhe ekipi i tij janë duke diskutuar “një varg opsionesh” për sigurimin e kontrollit mbi Grenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë amerikane, pavarësisht kundërshtimeve nga vendet evropiane.

“Presidenti dhe ekipi i tij janë duke diskutuar një sërë opsionesh për ta ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit suprem”, ka deklaruar Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i kanë thënë agjencisë Reuters se presidenti Trump e sheh marrjen e Grenlandës si një prioritet të sigurisë kombëtare të SHBA-së, të nevojshëm për të frenuar kundërshtarët në rajonin e Arktikut.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar se këto deklarata nuk nënkuptojnë një pushtim të afërt ushtarak. Sipas tij, SHBA po shqyrton mundësinë e blerjes së Grenlandës nga Danimarka, dhe jo përdorimin e forcës.

Sipas raportimit të “Wall Street Journal”, sqarimi i Rubios është dhënë gjatë një informimi të mbyllur të hënën, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të administratës Trump, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneralin Dan Caine.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.