
Ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit iu bashkuan autoriteteve shqiptare në Klos; Komandanti Jashari shpreh ngushëllime familjes dhe vlerëson profesionalizmin e pjesëtarëve.
Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë gjetur trupin e pajetë të të riut shqiptar Jurgen Karaj, i cili ishte mbytur në lumin Mat para një muaji. Operacioni i kërkimit u realizua me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore.
Sipas njoftimit zyrtar, FSK angazhoi një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për gjetjen e personit të zhdukur. Pas angazhimit intensiv në terren, ekipet arritën të lokalizojnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë të viktimës.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emër të tij dhe të gjithë personelit të FSK-së, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e të ndjerit, duke falënderuar njëkohësisht pjesëtarët e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë misionit.
FSK theksoi se mbetet e përkushtuar në misionet humanitare dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.



