
Ish-deputeti i LDK-së thotë se interesi shtetëror dhe tërësia territoriale mbeten parime të pakontestueshme në qasjen e partisë ndaj dialogut.
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka riafirmuar qëndrimin e partisë sa i përket dialogut me Serbinë, duke theksuar se LDK-ja mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Gashi deklaroi se interesi shtetëror ka qenë gjithmonë prioritet absolut i LDK-së, pavarësisht zhvillimeve politike apo presioneve nga jashtë.
“Në LDK, historikisht qëndron prioritet i padiskutueshëm interesi shtetëror dhe tërësia territoriale e Kosovës. Nuk ka forcë e as individë që mund të ndikojë në besimin e deputetëve dhe vetë LDK-së për ruajtjen e tërësisë territoriale,” u shpreh ai në Debat Plus.
Ai shtoi se pozicionet politike të partisë janë të qarta dhe të miratuara nga këshilli i përgjithshëm i LDK-së: ruajtja e tërësisë territoriale të vendit, karakteri unitar i shtetit, eliminimi i çdo niveli të tretë të pushtetit dhe arritja e njohjes reciproke me Serbinë.
“Nuk ka marrëveshje për asgjë nëse nuk merremi vesh për të gjitha. Ky është qëndrimi zyrtar i LDK-së,” përfundoi Gashi.



