
Ish-komandanti suprem i NATO-s pritet të përmbyllë listën e dëshmitarëve mbrojtës në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Wesley Clark do të jetë dëshmitari i fundit që do të paraqitet në mbrojtje të Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai pritet të përmbyllë paraqitjet e dëshmitarëve, të cilat mbrojtja e Thaçit i nisi në muajin shtator.
Deri tani, në mbrojtje të ish-presidentit kanë dëshmuar figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin; këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës në negociatat e Rambujesë më 1999, Paul Williams; ish-diplomatin britanik John Stewart Duncan; diplomatin e pensionuar amerikan Christopher Hill; si dhe Mike Durkee, këshilltar i gjeneralit Clark gjatë vitit 1999.
Në dëshmitë e tyre, të gjithë kanë deklaruar se Hashim Thaçi nuk kishte autoritet komanduese mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).



