
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me financimin e mediave, duke e akuzuar atë për manipulim të opinionit publik.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Gjini tha se Kurti është ai që, sipas tij, “mashtron publikun çdo ditë të lume” dhe prodhon lajme të rreme duke sulmuar fjalën e lirë.
Ai komentoi edhe deklaratën e Kurtit për “thasë parash”, duke pretenduar se kryeministri mbështet njerëz që marrin para nga Beogradi dhe që, sipas tij, përfitojnë nga transaksionet energjetike në dëm të qytetarëve.
“Fjalë të tij janë pikërisht veprimet e tij. I akuzon të tjerët për ato që i bën vet. E vartësit e tij si lloji i Donika Gërvalla-Schwarzit, Albulena Haxhiut e të tjerët, edhe pse e dinë krejt të vërtetën, nuk skuqen aspak. Krejt të njëjtë janë”, ka shkruar Gjini.
Ai shtoi se, sipas tij, bëhet fjalë për “mashtrues që me para të vjedhura paguajnë zagarë që ta manipulojnë qytetarin e varfër”.
Deklaratat e Gjinit vijnë në vazhdën e përplasjeve të fundit politike lidhur me akuzat për financimin e mediave dhe ndikimin në debatin publik.



