
Presidentja Osmani viziton zonat e goditura dhe familjet e evakuara, ndërsa ekipet komunale vazhdojnë menaxhimin e situatës.
Gjakova ka përjetuar një situatë të rënduar si pasojë e vërshimeve, veçanërisht gjatë ditës së djeshme.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, priti në zyrën e tij Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën e falenderoi për vizitën dhe e informoi për situatën në terren, reagimin e Shtabit Emergjent dhe masat konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe menaxhimin e emergjencës.
Së bashku, ata vizituan lagjen Dardania, një nga zonat më të goditura, ku ishte e domosdoshme evakuimi i disa familjeve. Familjet e evakuara janë strehuar përkohësisht në banesa sociale.
Gjini theksoi se ekipet komunale janë në terren dhe të vendosura për të vepruar me përgjegjësi deri në tejkalimin e plotë të situatës.
Presidentja Osmani shprehu solidaritet me qytetarët e prekura dhe falenderoi institucionet dhe qytetarët për angazhimin e tyre. Ajo siguroi se do të vazhdohet punë e përbashkët për tejkalimin e situatës.



