
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje falënderon qytetarët për mbështetjen dhe premton se do të vazhdojë të punojë për një Prishtinë më të mirë nga opozita.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka uruar Përparim Ramën për fitoren në zgjedhjet lokale, duke e përgëzuar dhe njëkohësisht duke falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës.
“Të dashur qytetarë të Prishtinës, kjo fushatë dhe takimet me ju gjatë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë,” ka shkruar Çeku në një postim në rrjetet sociale.
Ai ka shprehur mirënjohje për çdo votë dhe për çdo përpjekje që është bërë për ndryshimin e besuar bashkë, duke theksuar se mbështetja e qytetarëve i jep forcë e besim për të ardhmen e kryeqytetit.
“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur,” ka shtuar ai.
Çeku gjithashtu ka theksuar se do të vazhdojë të jetë në shërbim të Prishtinës me përkushtim e dashuri, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do të ushtrojë një opozitë aktive në Kuvendin Komunal për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
Në fund, ai ka falënderuar ekipin, aktivistët dhe vullnetarët e Vetëvendosjes për punën e palodhshme gjatë fushatës, duke përfunduar me mesazhin se “rrugëtimi për një Prishtinë më të mirë vazhdon.”



