Hamza kërkon nga BE që t’i heq sanksionet

Kreu i PDK-së kërkon trajtim të barabartë për Kosovën si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëron se sanksionet po dëmtojnë proceset integruese.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës.

banner

Hamza thekson se Kosova duhet trajtuar njësoj si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, duke argumentuar se masat aktuale po e dëmtojnë vendin në një periudhë kritike për integrimin europian dhe euroatlantik.

“Vendit tonë duhet t’i jepen të njëjtat mundësi, mjete dhe mbështetje si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan ai.

Duke reflektuar mbi vitin e fundit, kreu i PDK-së nënvizon se Kosova ka kaluar përmes tri proceseve zgjedhore brenda një viti, të cilat ai i quan dëshmi të “qëndrueshmërisë dhe pjekurisë demokratike”, pasi janë zhvilluar “demokratikisht, me transparencë dhe paqësisht”, pavarësisht bllokadave politike të mëvonshme.

Në letrën e tij, Hamza rikujton edhe obligimet që Kosova ka marrë në kuadër të procesit të integrimit europian, përfshirë themelimin e Dhomave të Specializuara, të cilat ai i përshkruan si një kërkesë e imponuar vetëm mbi Kosovën dhe që, siç thotë, “fatkeqësisht është shndërruar në një instrument monoetnik”.

Pjesa më e theksuar e letrës është thirrja për unitet dhe qasje të përbashkët shtetërore në mbrojtje të interesave strategjike të vendit. “Pavarësisht se kush do t’i udhëheqë institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve, vendi ynë duhet të ketë të njëjtat mjete dhe mbështetje si të gjitha të tjerat në rajon. Vazhdimi i masave e privon Kosovën nga këto mundësi dhe rrezikon të minojë vlerat demokratike dhe pro-evropiane”, shkruan Hamza.

Në përmbyllje, ai i bën thirrje Komisionit Europian të dërgojë një sinjal të qartë mbështetjeje për qytetarët e Kosovës:

“Kërkoj me respekt heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.