
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, gjatë vizitës së tij në Washington ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump, dhe Mark Fleming nga Departamenti i Shtetit.
Hamza bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në takim u diskutua zhvillimi politik dhe ekonomik i vendit, si dhe rëndësia e forcimit të raporteve strategjike të Kosovës me SHBA-në.
Ai theksoi se për PDK-në dhe për vete, interesi shtetëror mbetet mbi çdo gjë, duke përfshirë rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e plotë të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
“Unë i sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE,” shkroi Hamza.



