
Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga radhët e PDK, ka mbajtur një fjalim në Konventën e kësaj partie.
Ai ka vlerësuar se PDK-ja është parti e ndërtuar mbi sakrificë, duke theksuar si i ka mbijetuar çdo goditjeje.
“A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.
“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.
Në këtë ditë të rëndësishme për PDK-në, Hamza i ka përmendur edhe Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët janë në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.
“Le t’i nderojmë liderët tanë historikë, të cilët me vizion, guxim e sakrificë e bënë Kosovën shtet të pavarur e sovran. Hashim Thaçin, nënshkruesin e marrëveshjes së Rambujesë, shpallësin e pavarësisë, kryeministrin dhe presidentin që e afirmoi Kosovën ndërkombëtarisht. Kadri Veselin, heroin e heshtur, çlirimtarin e madh dhe kryetarin që e modernizoi partinë. Jakup Krasniqin, politikanin e urtë dhe zërin e pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit tonë. Sakrifica e tyre dhe e shumë të tjerëve është themeli mbi të cilin ne qëndrojmë sot”, ka thënë Hamza.



