
Kreu i AAK-së thotë se çështjen e presidentit e ka mbyllur vetë Albin Kurti, paralajmëron garë me Ardian Gjinin kandidat për kryeministër
Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij në bisedimet për zgjedhjen e presidentit.
Haradinaj ka deklaruar se AAK-ja nuk e konsideron të mbyllur këtë çështje, por sipas tij, ajo është bllokuar nga vetë Kurti për shkak të mënyrës së negociimit dhe mungesës së një oferte reale.
“Këto janë veç kalkulime, kamuflazh dhe mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë, këto nuk janë oferta, këto janë me harxhu fjalë derisa të shpallen zgjedhjet”, është shprehur ai.
Ai ka paralajmëruar se, bazuar në afatet kushtetuese, 7 qershori mund të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Haradinaj ka bërë të ditur gjithashtu se kandidat i AAK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme do të jetë Ardian Gjini, aktualisht kryetar i Gjakovës.
“Do të jem pjesë e listës dhe AAK-ja do të ketë një ofertë serioze. Do të garojmë vetëm në zgjedhje”, ka shtuar ai.



