Haradinaj: Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje

Kreu i AAK-së thotë se nëse Kurti do ta zgjidhte presidentin, do ta dinte si funksionojnë këto procese.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet politike lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se vendi tashmë ndodhet në një situatë që, sipas tij, i ngjan zgjedhjeve.

banner

I pyetur nga gazetarët nëse kryeministri Albin Kurti mund të jetë duke synuar zgjedhje të reja, Haradinaj u shpreh se kjo tashmë është realitet.

“Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje. Sikur të kishte dashur ta zgjedhë presidentin, ai e di si shkojnë këto procese. Ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arritur të zgjedhim president”, tha Haradinaj.

Sipas tij, mënyra se si po zhvillohen proceset politike tregon se nuk është hapur një paketë e gjerë bashkëpunimi për formimin e institucioneve.

“Pra ai nuk e ka hapur paketën fare të Qeverisë, me thënë Qeverinë po e mbaj për vete, kur vjen puna e presidentit urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe; me atë që e fton për partneritet për president, bëhesh partner edhe në Qeveri”, theksoi Haradinaj.

Kreu i AAK-së foli edhe për kalimin e deputetes Duda Balje në Grupin Parlamentar të AAK-së, duke thënë se nuk kanë dallime të mëdha në qëndrime sa i përket çështjeve kryesore.

“Tani mendoj që është mirë edhe për deputeten Duda Balje. Nuk kemi shumë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës, sa i përket vlerave të demokracisë, zhvillimit ekonomik, por edhe përkrahjes së komuniteteve. Aleanca gjithmonë ka qenë e kujdesshme në këtë drejtim”, tha ai.

Haradinaj shtoi se për AAK-në një deputet më shumë në grup parlamentar është i rëndësishëm, ndërsa për një deputet që nuk ka grup parlamentar situata është më e vështirë.

“Mendoj që është reciproke. Është një lloj racionaliteti, sepse një deputet pa grup e ka të vështirë”, përfundoi Haradinaj.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.