
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një nga momentet më të errëta në historinë e vendit.
Haradinaj tha se prej kohësh ka paralajmëruar për sjelljen, siç e përshkroi ai, të papërgjegjshme dhe destruktive të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet. Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, ka shkruar ai.
Në përfundim, kryetari i AAK-së bëri thirrje për unitet dhe bashkëpunim mes partive politike dhe shoqërisë kosovare.
“I ftoj të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”, ka shkruar tutje Haradinaj.



